Gjatë veprimtarisë së tyre ekonomike kompanitë që operojnë në vende të ndryshme të botës të njohura ndryshe si kompani shumëkombëshe (MNE) kryejnë transaksione jo vetëm me palë të treta, por edhe me kompanitë e lidhura që quhen bija apo motra, si edhe me pjesë të ndryshme të të njëjtës kompani, por që operojnë në vende të tjera të organizuara si degë apo filiale.
Këto transkasione përkufizohen në legjislacionin tatimor ndërkombëtar si transaksione të kontrolluara. Ato janë të shumëllojshme, komplekse dhe shumë të vështira për t’u vlerësuar drejt nga autoritetet tatimore pa kryer një analizë të hollësishme të tregut me disa metoda të ndryshme krahasuese, por jo vetëm. Edhe vetë kompanitë hasin vështirësi në momentin e përcaktimit të çmimit për këto transaksione nëse nuk kryejnë një analizë të kujdesshme të tregut dhe negociata e konsultime midis palëve pjesëmarrëse.Ka edhe raste kur kompanitë e lidhura abuzojnë duke i përdorur keto transaksione si preteks për të transferuar shpenzime apo të ardhura nga një shtet në tjetrin për të përfituar nga një sistem tatimor më i favorshem për to. Informacioni i nëvojshem për të vlerësuar saktësinë e çmimit të vendosur në një transaksion të kontrolluar varet shumë nga faktet dhe rrethanat e rastit në shqyrtim.Për këte arsye nuk mund të përcaktohet paraprakisht në mënyrë të përgjithshme natyra dhe sasia e informacionit të nevojshëm që tatimpaguesi duhet të mbledhë e të vendosë në dizpozicion të administratës tatimore në momentin e ekzaminimit. OECD (Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin) në udhëzimet e saj për “Transferimin e Çmimit” ka paraqitur disa parime bazë në të cilat duhet të mbeshtetet i gjithe procesi i ekzaminimit të transaksioneve të kontrolluara nga administrata tatimore.Përcaktohet si i nevojshëm çdo informacion që ka lidhje me tatimpaguesin, kompanitë e lidhura, natyra e transaksionit dhe analiza e kryer nga tatimpaguesi për përcaktimin e çmimit të transaksionit. Sipas udhëzimeve çdo tatimpagues në momentin e përcaktimit të çmimit të transferuar duhet të bëj përpjekje të arsyeshme për të vendosur një çmim të drejtë për qëllime tatimore në përputhje me parimin e tregut te lirë. Edhe administrata tatimore nga ana e saj duhet të vlerësojë transaksionin e kontrolluar me një analizë të kryer në bazë të parimit të tregut të lirë. Në disa raste duhet kërkuar nëse ka informacion për transaksione të ngjashme të kryera midis tatimpaguesit me ndonje palë tjetër të pavarur si dhe cdo informacion tjetër i cili mund të tregojë nëse një kompani e pavarur që operon mbi parimin e tregut të lirë do të kishte hyrë në një transaksion të strukturuar në mënyrë të ngjashme . Këto janë vetëm disa nga llojet e informacioneve që konsiderohen të nevojshme për një analizë të saktë dhe cdo rast duhet parë në përputhje me vecantitë e tij pasi kjo nuk konsiderohet një shkencë ekzakte. Çdo shtet anëtar i OECD-se, ose vende të tjera që udhëhiqen nga këto parime në mënyrë vullnetare ose në baze te marrëveshjeve bilaterale e vendos vëte se cili do të jetë dokumentacioni që i nevojitet, por vitet e fundit ështe rritur mjaft presioni nga kompanitë shumëkombëshe për një unifikim të praktikave në nivel global me qëllim uljen e kostos administrative të mbledhjes dhe ruajtjes së dokumentacionit të nevojshëm sipas juridiksioneve të vecanta me praktika të ndryshme, çka i ka detyruar shumë shtete të ndjekin këto udhëzime dhe ti përfshijnë në legjislacionin e tyre të brendshëm, sjell si shembull ketu edhe Shqipërinë me ndryshimet e fundit në Ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, të ndryshuar, duke u bazuar në parimet e udhëzuesve të OECD-së “Për transferimin e çmimit për shoqëritë shumëkombëshe dhe administratat tatimore” (OECD Transfer Pricing Guidelines 2010”). OECD në udhëzimet e saja mban qëndrimin se vendimet për caktimin e çmimit në transaksionet e kontrolluara duhet të merren në përputhje me parimin e një menaxhimi të kujdesshëm të biznesit sikur të ishte edhe ky një tjetër vendim biznesi me të njejtin kompleksitet dhe rëndësi. Prandaj, informacioni i mbledhur dhe analiza e kryer për marrjen e këtij vendimi nga tatimpaguesi dhe çdo negociate midis kompanive të lidhura për mënyrën e përcaktimit të këtij çmimi ka shumë rëndësi dhe duhet ti vihet në dispozicion administratës tatimore në momentin e ekzaminimit për ta lehtësuar dhe shpejtuar proçesin. Kuptohet që përgjegjësinë e ka administrata tatimore për t’u kujdesur që informacionet tregtare apo sekretet e biznesit të mbrohen gjatë ekzaminimit të këtij dokumentacioni për të shmangur dëme të mundshme ndaj veprimtarisë tregtare të tatimpaguesit të cilat normalisht do të përbënin shkak për përgjegjësi ligjore nga autoritetet tatimore. Nga ana tjetër rekomandohet që administrata tatimore me kërkesen për informacion nuk duhet të vendosi mbi tatimpaguesin kosto e ngarkesë në disproporcion me rrethanat. Në përgjithësi administrata tatimore e ka shumë te lehtë të kërkojë dokumentacionin e nevojshëm nga tatimpaguesi, por duhet të ketë parasysh se në shumë raste mund të zbatojë marrëveshjet ndërkombëtare për shkëmbim informacioni në fushën tatimore për të mbledhur informacionin e nevojshëm duke pakësuar kështu kërkesat për dokumentacion ndaj tatimpaguesve gjatë ekzaminimit. Si përfundim, përcaktimi i dokumentacionit të nevojshëm gjatë ekzaminimit të një rasti konkret mbetet në dorë të administratës tatimore dhe tatimpaguesve . Të dyja palët kanë detyrimin për të bashkëpunuar në zgjidhjen e problematikave që mund të hasen në lidhje me përcaktimin e dokumentacionit të nevojshëm për të shmangur kërkesa të tepruara për dokumentacion. Po ashtu rëndësi të madhe ka edhe paraqitja brenda një periudhe të arsyeshme e informacionit të nevojshëm e cila ështe domosdoshmëri për të aplikuar sa më mire parimin e tregut të lirë.
0 Comments
|
Archives
February 2025
AuthorLareda Zenunaj, LL.M in Taxation |